VV në Prizren dorëzon kallëzim penal ndaj kryetarit Totaj dhe vartësve të tij

Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prizren, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore ndaj kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj dhe vartësve të tij në këtë komunë, të cilët sipas VV-së, kanë degraduar arsimin përmes zgjedhjes së drejtorëve partiakë dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Përmes një komunikate për media VV-ja ka thënë se procesi i zgjedhjes së drejtorëve në institucionet edukativo-arsimore publike në Komunën e Prizrenit është përcjellë me parregullsi të shumta të cilat sipas kësaj partie e kanë dëmtuar në masë të madhe integritetin dhe kredibilitetin e sistemit arsimor.

“Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, duke iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve, prindërve dhe shoqërisë civile për proces jo transparent e të kundërligjshëm dhe duke marrë për bazë parimin themelor të zgjedhjes së drejtorëve, ai i depolitizimit dhe parimin e ligjshmërisë në proces që parashihen me udhëzimet në fuqi, përmes këtij kallëzimi penal kërkon që organet kompetente të shtetit, të ndërmarrin masat e duhura penale-juridike për të zbardhur të vërtetën me rastin e zgjedhjes së drejtorëve në shkollat e Komunës së Prizrenit”, thuhet tutje në njoftim.

VV-ja ka thënë se qeverisja e re komunale çdo ditë e më shumë po e degradon qytetin në çdo aspekt.