Washingtoni e do heqjen e tarifave menjëherë

“E gjithë Qeveria amerikane po ia kërkon Kosovës t’i heqë menjëherë të gjitha tarifat”, ka thënë Dick Custin – zëdhënës i emisarit të presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, kur është pyetur nëse do të aplikohen sanksione ndaj Kosovës; nëse është stopuar asistenca financiare që ndërlidhet me fondet e Sfidës së Mijëvjeçarit, dhe nëse SHBA-ja po e shqyrton tërheqjen e ushtrisë nga Kosova.

Por një senator republikan dhe djali i presidentit Trump, të enjten kanë bërë thirrje për tërheqjen e trupave amerikane, nëse Qeveria e Kosovës nuk e heq taksën ndaj mallrave serbe, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pavarësisht këtyre paralajmërimeve, ditën kur u takua me emisarët e kancelares Merkel dhe të presidentit Macron, kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk beson që do të ketë sanksione nga SHBA-ja që po kërkon heqjen e menjëhershme të taksës dhe pa kushte. Por ka konfirmuar raportimet e fundit të gazetës se vendimmarrja për taksën në qeveri po vonohet për shkak të kundërshtimit të LDK-së.

Të martën senatori republikan, David Perdue, me thirrjen e tij për rishikimin e prezencës ushtarake amerikane në Kosovë, nëse kjo e fundit nuk është e përkushtuar për paqe, ka nxitur reagime të shumta.