Werderi ia shuan shpresat për titull Dortmundit, Rashica kishte një paraqitje të shkëlqyeshme (video)

Superparaqitja e Milot Rashicës i ndihmoi Werder Bremenit ta ndalë Borussia Dortmundit, në ndeshjen që përfundoi me rezultat të barabartë 2 – 2, në kuadër të xhiros së 32-të të Bundesligës. 

Dy pikët e humbura në përballjen kundër Bremenit bënë që Dortmundi të mbetet katër pikë prapa Bayern Munichut, me vetëm dy xhiro të mbetura deri në fund të sezonit.

Golin e parë për Dortmundin e shënoi Christian Pulisic në minutën e 6-të.

Katër minuta para fundit të pjesës së parë, Paco Alcacer i la të gjithë të mahnitur me një supergoditje nga gjuajtja e lirë me rezultat 0 – 2.

Megjithatë, pjesa e dytë rrjedhi në mënyrë plotësisht të ndryshme. Milot Rashica e asistoi golin e parë të skuadrës së tij në minutën e 70-të, të shënuar nga Kevin Mohwaldi.

Vetëm pesë minuta më vonë, në minutën e 75-të, Claudio Pizarro e barazoi rezultatin në këtë ndeshje 2 – 2, që ishte edhe rezultati përfundimtar.

Edhe pse Rashica e asistoi vetëm njërin gol dhe nuk arriti të shënojë, SofaScore e vlerësoi atë me notën më të lartë nga të gjithë lojtarët në këtë ndeshje. Ai u vlerësua me notë 8.3, ndërsa pas tij mbeti Christian Pulisici i Dortmundit, me notë 7.9.

https://streamable.com/i2h9i