Xhaçka: Përgjigje e unifikuar me sanksione shumë të forta ndaj Rusisë

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se “reagimi i botës demokratike ndaj Rusisë duhet dhe do të jetë i fortë dhe do të bëjë që Rusia të paguajë një kosto shumë të lartë që ka bërë agresion sot ndaj  Ukrainës, pa u provokuar nga askush”.

E ftuar në një studio televizive, Xhaçka tha se ka një reagim të vendosur dhe në unison të vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së.

Thelbi i reagimit, sipas saj, “është kërcënimi me sanksione që godasin rëndë ekonominë dhe personat përgjegjës për aktet e agresionit”.

E pyetur nëse ka shpresë për diplomacinë, ajo tha se “patjetër që ka gjithmonë shpresë për diplomacinë, por sanksionet do të jenë shumë të forta, të llogaritura, për ta bërë Rusinë që ta rikonsiderojë pozicionin e saj”.

“Sapo kam dalë nga një takim i jashtëzakonshëm i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, që u thirr me urgjencë sot. Ajo që ka ndodhur sot i ka lënë të gjithë pa fjalë. Është thjesht e pabesueshme që në vitin 2022 në Europë të zhvillohet një luftë e tillë, që është agresion i një shteti kundër një shteti tjetër, pa asnjë motiv, arsye dhe kërcënim. Nuk ka pasur një sulm të Ukrainës kundër Rusisë, as agresion, ndaj ky është një akt ilegal agresioni dhe pushtimi”, tha Xhaçka.

Ajo tha se “ajo që ka ndodhur është më tepër se një sulm rus kundër Ukrainës”. “Nuk do të thosha që është një luftë botërore, por është një sulm kundër të gjithë arkitekturës së sigurisë në Europë, por edhe gjithë sistemit ndërkombëtar në formën që ekziston sot. Kjo është edhe pjesa më dramatike e asaj që ka ndodhur sot”, tha Xhaçka.

Ajo theksoi se Shqipëria e mbështet pa asnjë rezervë pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Ukrainës.

“Bota sot ndodhet në prag të një Mynihu të dytë, ku të gjitha vendet e botës duhet të vendosin nëse do t’i hapin rrugë Rusisë ose jo, duke pasur garancinë se hapja e rrugëve të tilla do të sillte edhe më shumë veprime të tilla në të ardhmen. Kjo që ka ndodhur sot është rezultat edhe i mungesës së një reagimi të fortë dhe të vendosur pas luftës me Gjeorgjinë në 2008, apo pushtimit të Krimesë në 2014”, tha ajo.

Ndaj, Xhaçka theksoi se “duhet të ketë një përgjigje shumë të vendosur, të unifikuar për t’i ndalur rrugën veprimeve të tilla”./atsh/