Arratisja e Radojçiqit në kufi, Policia: I kërkuam ta parkojë veturën

Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë për arratisjen e kriminelit serb, Milan Radojiçiq nga zyrtarët policorë në pikën kufitare të Bërnjakut.

Policia në komunikatën shtesë ka thënë se Radojiçiq ka qenë në veturë bashkë me një person tjetër.

“Me datë 03.02.2022 në orët e pasdites, në pikë kalimin kufitar Bërnjak, nga drejtimi i Serbisë për të hyrë në Republikën e Kosovës, ka ardhur një automjet në të cilin kanë qenë personi M.R. mashkull serb së bashku me një bashkudhëtar”, thuhet në komunikatë.

Zyrtarët kufitar sipas detyrave dhe procedurave të kontrollit kufitar, kanë ndaluar automjetin dhe kanë filluar procedurat e regjistrimit dhe verifikimit të automjetit dhe personave në automjet, ka thënë tutje policia.

“Gjatë realizimit të detyrave policore, zyrtarët kufitar kanë kërkuar nga personi (vozitësi) që të parkojë automjetin në vend parking, për të vazhduar me procedurat e mëtejme policore, mirëpo vozitësi gjatë parkimit me veturë është larguar me shpejtësi mbrapa në drejtim të territorit të Serbisë”, thuhet në njoftim.

Duke pasur parasysh pikën kufitare të integruar si pikë kufitare e përbashkët dhe mundësisë për të kaluar shpejtë në pjesën e Serbisë, zyrtarët policorë nuk kanë arritur që ta ndalojnë. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka rekomanduar të iniciohet rasti pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës.

“Me qëllim të hetimit të sjelljeve dhe veprimeve të zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës sipas detyrës zyrtare ka njoftuar Inspektoratin Policor për hetime dhe kompetencë të mëtejme”, thuhet në fund të komunikatës shtesë.