Xhaka, Ajeti dhe Zhegrova e fitojnë Kupën e Zvicrës me Baselin (video)

Tre futbollistët shqiptarë: Taulant Xhaka, Albian Ajeti dhe Edon Zhegrova e kanë fituar Kupën e Zvicrës me Baselin pas fitores 2 – 1 në finale kundër Thun në Bern.

Golat nga sulmuesi shqiptar i Zvicrës, Albian Ajeti dhe nga Fabian Frei i mjaftuan Baselit për ta mundur Thunin në ‘Stade de Suisse’.

Edon Zhegrova, ishte në bankën e rezervistëve në këtë takim final, por e fitoi trofeun e tij të parë në karrierë me vetëm një minutë të lojë të zhvilluar në përgjithësi.

22-vjeçari është i huazuar te Basel nga Genku, dhe ka vetëm një paraqitje një minutëshe në këtë garë, në gjysmëfinale ndaj Zurich.

Ndërkohë, sulmuesi i Zvicrës Ajeti bëri paraqitje të mirë dhe dha kontribut të madh duke e shënuar golin e parë të Baselit në minutën e 23-të.

Frei e dyfishoi epërsinë rreth dhjetë minuta para fundit, para se Sorgiç ta shënonte golin e vetëm të Thun në këtë takim.

Mesfushori i Shqipërisë, Taulant Xhaka, po ashtu luajti 90 minuta si titullar.