Xhavit Jashari: Kam kërkuar që pensioni i veteranit të jetë 500 euro

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, thotë se respektojnë qëndrimet e shprehura mbrëmë nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në raport me veteranët dhe kryeministrin Albin Kurti.

Mbrëmë kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka kërcënuar kryeministrin Albin Kurti në lidhje me pensionet e veteranëve.

Jashari në RTV Dukagjini thotë se respektojnë Ramush Haradinajn për sakrificën e tij dhe të familjes në luftë.

“Mendoj se kjo është një qasje e gabuar e kryeministrit Kurti. Qeveria është e obliguar të zbatojë ligjet e Kuvendit për veteranët. Albin Kurti duhet të lexojë dhe zbatojë ligjin”, tha Jashari.

“Sa i përket benificioneve të veteranëve, ligji e thotë qartë se ato nuk mund të jenë nën pagën minimale pavarësisht implikimeve buxhetore. Ndërsa për invalidët dhe familjet e dëshmorëve, benificioni i këtyre kategorive është 220% mbi pagën minimale”.

Jashari thotë se veteranët nuk kanë frikë nga procesi i verifikimit.

“Sa i përket listës së veteranëve, askush nuk është duke iu frikësuar verifikimit. Mendoj se qasje e Kurtit është e gabuar. Ai po mundohet t’i zhvendos premtimet që ka dhënë, duke u marrë me një kategori pa të cilën ata nuk do të ishin ulur në karriget ku janë sot”.

Ai thotë se veteranët duhet të përfitojnë benificione në vlerë 500 euro për të bërë jetë të dinjitetshme.

“Ne kemi kërkuar të ngrihen benificionet për kategoritë e lirisë, në theks të veçantë për veteranët pasi benificioni prej 170 euro nuk mund të quhet as asistencë sociale. Unë në veçanti kam kërkuar që benificioni për veteranin e UÇK-së të jetë në vlerë prej 500 euro në mënyrë që të bëjnë një jetë të dinjitetshme ashtu siç ishte e dinjitetshme edhe lufta e UÇK-së”.

Ndryshe, mbrëmë Haradinaj e kishte kërcënuar Kurtin me protesta nëse nuk përfshihen veteranët në rritjen e pagës minimale.

“Kurti nuk mund të fshihet më. Nuk ka qare pa e rrit pagën minimale. Nuk ka qare pa i përfshirë edhe veteranët e kategoritë e lirisë në të njëjtat kritere. Unë po ja jap sot një paralajmërim Kurtit: Po i ofendove veteranët, do më kesh me ta në rrugë. Dhe nuk të falim pasi je duke bërë shaka. Unë do të jem i pari në rrugë”, kishte deklaruar Haradinaj.