Ymeri ‘përplaset’ me Mujën: VV’ja përdor propagandë, paratë janë relative e jo absolute

Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje është propagandë, kështu ka thënë analisti politik, Visar Ymeri, teksa ka kritikuar deputetin e LVV-së, Armend Mujën për shifrat që i përmend lidhur me ndarjen e buxhetit të Kosovës.

Ymeri ka shpjeguar se kritika e tij vjen nga përdorimi i termave nominal dhe vlerave absolute për të folur për paratë, duke theksuar se vlera e parave është relative.

Ai gjithashtu ka kritikuar matjen e gabuar të rritjes së buxhetit për arsim dhe shëndetësi, duke theksuar nevojën për të përdorur bruto produktin vendor për të vlerësuar përparimin.

“Së pari vërejtjen kryesore që e kam për këtë qasje që e kanë Lëvizja Vetëvendosje, dhe zoti Muja sot, dhe mendoj që këtë e bëjnë me qëllim dhe kjo është pjesë e propagandës. Qe po e shpjegoj se pse mendoj se është propagandë, sepse përdorin terma nominal ose vlera absolute për paranë, kur besoj që zoti Muaj e din edhe unë e di e të gjithë ne që vlera e parasë është relative, por sa para të duhen për të blerë një mall të caktuar, kjo e përcakton vlerën e parasë, kur flet me 100 milionë 200 milionë kjo mua nuk më tregon asgjë nëse nuk tregon se çfarë mundesh të blesh me to”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka thënë se rënia në raport me bruto produktin vendor në sektorin e arsimit tregon mungesën e prioriteteve të duhura nga Qeveria.

“Edhe kur matet bruto produkti vendor për secilin shtet i ka dy lloj shifrash, nominal dhe PP, që i bie që me këtë shumë të dollarëve ta zëmë sa mundesh me ble në tregun për vendin për të cilin po flasim, këto dyja kurrë nuk janë të njëjta”.

Ai ka theksuar se pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje për rritjen e buxhetit kërkojnë shpjegime më të detajuara për sektorët qoftë të shëndetësisë apo arsimit.

“Ato që i treguat ju për rritjen e buxhetit për shëndetësi dhe arsim, unë mendoj që është matje e gabuar, nuk mundesh me mat se sa po i shpenzojmë këtë vit për arsim në raport me sa i kemi shpenzuar  vitin e kaluar ose para dy viteve, këto matje bëhen në raport me buxhetin në përgjithësi a më së miri bëhen në raport me bruto produktin  vendor dhe sipas raportit të progresit gjatë viti për të cilin është raportor. ka rënie në raport me bruto produktin vendor të parave që ndahen në buxhet për arsim në Kosovë”, ka deklaruar Ymeri.

“Nëse ju na thoni që sot e kemi buxhetin më të madh, atëherë a është rritur buxheti i shëndetësisë i arsimit e të tjera proporcionalisht së paku me rritjen e buxhetit apo po të kishte qenë prioritet i Qeverisë është dashur të rritet edhe më shumë”, ka deklaruar tutje ai.