Zbulohet arsyeja e dorëheqjes së Ajazit: Ai ishte kërcënuar nga krerët e FFK’së

Vetëm një orë para fillimit të Kuvendit Zgjedhor në Federatën e Futbollit të Kosovës, Behar Ajazi dha dorëheqje. Sipas tij vendimi ishte për arsye personale, mirëpo e vërteta qëndron ndryshe.

Nga ora 15:00 në hotel ‘Emerald’ do të mbahet Kuvendi Zgjedhor për zgjedhjen e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv në FFK.

Një orë para Kuvendit, përfaqësuesi nga Vëllazëria e Zhurit, Behar Ajazi, njoftoi për dorëheqje. Sipas tij ky vendim ishte për arsye personale, duke mos zbuluar diçka më shumë.

Mirëpo, Gazeta Metro mëson se dorëheqja e tij erdhi pas kërcënimeve nga krerët e FFK’së, pasi Ajazi kishte nënshkruar pro ndryshimeve të statutit në FFK.

Në media gjithashtu është raportuar se janë 12 delegatë të Kuvendit që janë punëtorë të FFK’së dhe të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në punimet e Kuvendit. Me këtë dëshmohet se Presidenti aktual, Agim Ademi, e ka humbur përfundimisht shumicën e votave në Kuvend.

Kujtojmë që mbi 70% e klubeve po kërkojnë reforma dhe ndryshime statutore në FFK. Sipas të gjitha gjasave shtyerja e Kuvendit do të jetë opsioni i vetëm i Ademit, për të shpëtuar kështu mandatin e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv.