Zbulohet motivi i përleshjes që përfundoi me plagosjen e një personi në Vushtrri

Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur sot në mesditë në fshatin Sllatinë të Vushtrrisë, ku një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri. Lidhur me rastin janë arrestuar dy vëllezërit, Bashkim dhe Isa Osmani, të cilët tashmë ndodhen në masën e ndalimit policor, ndërkohë që viktima është dërguar në spital për trajtim mjekësor.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë bëjnë me dije se i gjithë sherri ka ndodhur pas një konflikti për punimin e një toke, e cila është në pronësinë e një personi të tretë, e që situata më pas eskaloi në përleshje fizike ku u përdor edhe arma e zjarrit.

Vëllezërit Osmani janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Viktima, që është një 40-vjeçar, është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Vushtrrisë, ku i është ofruar ndihma e parë mjekësore e më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm.

Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Lëndim trupor’.