Zbulohet shtatorja e dëshmorit Afrim Stojku, Mehaj: Ata që ranë për atdhe, na mundësuan të jetojmë sot

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ka marrë pjesë në zbulimin e shtatores së dëshmorit të kombit Afrim Stojku në Has të Prizrenit.

Mehaj, në një postim në Facebook, shkroi se Beteja e Koshares ishte ndër më të lavdishmet e UÇK-së aty ku veproi edhe dëshmori Stojku.

“Sot në Has të Prizrenit, në fshatin Stajk së bashku me deputetin e Kuvendit të Kosovës, z. Arbër Rexhaj, familjarët, përfaqësues fetarë dhe qytetarë të Hasit, morëm pjesë në zbulimin e shtatores së dëshmorit të kombit, Afrim Stojku. Beteja e Koshares ishte ndër betejat më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte e tillë sepse në të vepronin eprorë dhe ushtarë të guximshëm të cilët nuk njihnin frikë as dorëzim, ndër ta ishte edhe Afrim Stojku”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Mehaj tha se Ushtria e Republikës së Kosovës, si pasardhëse e UÇK-së, është duke u forcuar çdo ditë sipas ëndrrës së dëshmorëve dhe martirëve tanë.

“Zhvillimin e forcës sonë nuk mund ta ndalë e as ta ngadalësojë askush, ajo do tashmë është në nivel të ushtrive të vendeve të NATO-s dhe është duke avancuar çdo ditë”, ka shtuar ai.

“Ata të cilët ranë për atdhe, na mundësuan ditët që jetojmë sot. Lavdi!”, përfundoi Mehaj.