Zeka tregon kush mund të jetë kryeministër konsensual

Milaim Zeka, kreu i Partisë Euroatlantike të Kosovës, në emisionin “DPT Te Fidani” në t7, ka thënë se për dallim nga të gjithë liderët e tjerë, Atifete Jahjaga meriton të jetë kryeministre e Kosovës.

Ai ka thënë se asnjëri nga liderët e partive nuk duhet të jetë kryeministër i Kosovës, sepse nuk e meritojnë. Por, këtë qëndrim nuk e ka pasur për ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjagën. Zeka e ka cilësuar Jahjagën si politikanen e vetme që na e ka zbardhë fytyrën tek ndërkombëtarët.

“Sinqerisht nuk e di kush mund të jetë kryeministër konsensual. Asnjëri nga liderët nuk e meriton të jetë kryeministre. Atifete Jahjaga është e pjekur politikisht, ajo është njëri ma autoritativ sepse është e vetmja politikane që e zbardhë fytyrën tek ndërkombëtarët, ka thënë Zeka te “DPT te Fidani”.

Madje ai ka uruar që ndërkombëtarët të na e propozojnë një kryeministër si Atifetja.

“Dhashtë zoti, si na e kanë bërë me Atifete Jahjagën, na e propozojnë edhe një kryeministër”, ka thënë Zeka.

Si përfundim, ai ka thënë se çdo qeverisje e mundshme varet nga LDK’ja.

“Krejt varet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, sepse ka qenë dhe vazhdon me qenë njëra nga tri forcat politike në vend, dhe kahja politike në këtë kohë varet vetëm nga LDK’ja”, shtoi Zeka.