Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot i ngjashëm sikurse dje, me vranësira, ndonjë interval kohor me diell dhe rrebeshe sporadike bore kryesisht në viset kodrinore-malore. Në shumë pjesë të territorit pa reshje.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot kryesisht i vranët dhe i thatë. Në disa rajone priten reshje sporadike shiu e bore.

Të shtunën në tërë rajonin pritet të ketë formime të vranësirave të dendura të cilat pritet të kushtëzojnë reshje shiu nëpër ultësirat më të ulëta dhe bore nëpër viset kodrinore-malore. Në disa rajone priten reshje mikse ose të përziera. Të shtunën pritet afrimi i ciklonit të fuqishëm me qendër në Afrikën veriore dhe Mesdhe. Ky ciklon me hyrjen e tij në ujërat e Mesdheut pritet të fuqizohet më tutje dhe të dielën në mbrëmje pritet të stacionohet në jug të Shqipërisë. Si pasojë do të fillojnë reshje të dendura bore në shumë vise tona kontinentale sidomos në Kosovë duke përfshirë edhe ultësirat e Kosovës. Në anën tjetër në Shqipërinë Mesdhetare priten reshje të dendura shiu si dhe rrebeshe të fuqishme dhe stuhi me vetëtima dhe bubullimë. Në viset kodrinore-malore të rajonit pritet dimër i vërtetë me stuhi të fuqishme bore, duke mos përjashtuar edhe disa ultësira sidomos në Kosovë.

Nga e hëna ftohtë dhe me reshje lokale bore, ndërsa përmirësim gradual i motit mund të kemi nga gjysma e javës tjetër./Meteoballkan