Zelensky kritikon ashpër NATO-n: I dha dritën jeshile bombardimeve të qyteteve ukrainase

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar liderët perëndimorë për refuzimin e përsëritur të vendosjes së një zone të ndaluar fluturimi mbi vendin e tij.

Duke folur gjatë një fjalimi televiziv drejtuar popullit ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se liderët perëndimorë e dinin se agresioni rus ndaj vendit ka të ngjarë të rritet dhe i akuzoi ata se i dhanë Vladimir Putin leje për të vazhduar bombardimin e qyteteve dhe fshatrave.

“Duke ditur se sulmet dhe viktimat e reja janë të pashmangshme, NATO ka vendosur qëllimisht të mos mbyllë qiejt mbi Ukrainën”, tha ai në një adresim me video nga zyra e tij në Kiev.

“Sot, lidershipi i aleancës dha dritën jeshile për bombardime të mëtejshme të qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës, duke refuzuar krijimin e një zone ndalim-fluturimi”.

Udhëheqësit perëndimorë kanë refuzuar futjen e një zone ndalim-fluturimi që nga fillimi i pushtimit rus, duke argumentuar se do të kërkonte që avionët e NATO-s të qëllonin mbi rusët, gjë që mund të provokojë një konflikt më të gjerë.