Pas raportimit të Indeksonline për mos-respektim të masave të vendosura anti-COVID, sot në Aeroportin e Prishtinës u vërejt se shteti tashmë po ndërmerr masa.
Anipse ditë vikendi, e diele në hapësirat e aeroportit u pa vetë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
E pas kësaj, Zemaj deklaroi se ishte aty bashkë me inspektorët dhe drejtuesit e Policisë së Kosovës.
Madje ai tha se inspektorët dhe policia kanë vazhduar inspektimin edhe në pishina, qendra tregtare e kafiteri, ku janë gjobitur dhe mbyllur të gjitha bizneset që nuk i respektuan masat anti-COVID, transmeton Indeksonline.
Zemaj deklaroi se ashpërsimi i masave do të vazhdojë.
Njoftimi i plotë:
Për të siguruar ambient të sigurt për ardhje dhe vajtje të bashkatdhetarëve, së bashku me inspektorët dhe drejtues të Policisë së Kosovës, sot kam vizituar Aeroportin e Prishtinës!
Ndërkohë, inspektorët dhe policia kanë vazhduar inspektimin edhe në pishina, qendra tregtare e kafeteri. Janë gjobitur dhe mbyllur, të gjitha bizneset që nuk i kanë respektuar masat kundër Covid-19.
Ashpërsimi i zbatimit të masave do të vazhdojë!
Nuk do të lejojmë që nga të papërgjegjshmit të dëmtohen jeta dhe ekonomia e të gjithëve!
#QeveriaHoti