Zemaj paralajmëron lirim të masave antiCovid

Ka përfunduar takimi i Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës emergjente me COVID-19, ku pas takimit foli ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

“Vlerësimet e përgjithshme rreth situatës epidemiologjike janë stabile, janë me një ecje të sigurt në menaxhimin e kësaj situate. Pavarësisht numrit të rënies së infeksionit, stabilitetit që e kemi në institucionet tona shëndetësore, kjo tregon që lufta e përbashkët me qytetarët është treguesi i qartë që zbatimi i masave të marra nga qeveria e Kosovës, rekomandimet e IKShPK-së dhe ato të miat kanë treguar rezultate të cilat duhet të përcillen”, tha ai.

Ai tregoi edhe se cilat kanë qenë rekomandimet nga ky takim.

“Rekomandimet lidhen edhe me aspektin e riorganizimit të mëtutjeshëm të institucioneve tona. Do të bëjmë rikthimin gradual të te gjitha shërbimeve në spitalet tona. Kjo është domosdoshmëri. Me këtë siguri do të ecim edhe në vlerësimin e masave të reja qoftë në kufizimin kohor por edhe në disa aspekte në gastronomi, disa lirime në aktivitete sportive që ndërlidhen me garat ndërkombëtare. Lirimi i masave ka të bëjë me vlerësimin të cilin e kemi të situatës, personalisht dhe në emër te MSh jemi pak konservativë në ecjen apo në lirimin e tepruar. Nuk do të lejojmë asnjë gabim i cili mund të na shkaktojë ndonjë problematikë”, shtoi Zemaj.

Ministri u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që ta votojnë ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, në mënyrë që tua lehtësojë humbjen bizneseve.