Haxhi Shala: VV po sillet sikur t’i kishte fituar mbi 50 për qind të votave

Deputeti i zgjedhur i NISMA Socialdemokrate, Haxhi Shala ka thënë se deri më tani kjo parti ka pasur betejën për t’u futur në parlament dhe sipas tij nuk kanë mundur të merren me çështje të koalicioneve.

Shala, në “Dossier D” në RTV Dukagjini ka thënë se NISMA është duke pritur oferta që më pas do të shqyrtohen në organet e saj.

“Mund të them se shumica e strukturave dhe degëve të NISMA-s janë kundër përfshirjes në ndonjë qeveri”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Anëtari i Kryesisë së NISMA Socialdemokrate ka thënë se megjithatë nuk mund të ketë koalicion as mes VV-së dhe LDK-së pasi sipas tij ato kanë mospajtime të mëdha programore.

Duke folur për zgjedhjen e presidentit, ai ka thënë se qëndron në anën e LDK-së se përcaktimi për kandidaturën duhet të bëhet tani pasi sipas tij çdo herë është vepruar në këtë mënyrë deri më tani.

Shala ka thënë se Jakup Krasniqi është një personalitet i duhur dhe me kredibilitet, por sipas tij kjo është pothuajse e pamundur pasi “LDK asnjëherë nuk do ta përkrahte kandidaturën e Jakup Krasniqit”.

Deputeti i NISMA-s thotë se deri më tani Vetëvendosje është sjellë si të jetë fituese e mbi 50% të votave.

“Vetëvendosje është fituese por jo mbi 50%. Ata po sillen si të ishin mbret në Kosovë”.

Shala ka thënë se derisa AKR në mandatin e kaluar me shumë pak deputetë arriti të marr gjithë ato ministri pse LDK tash të mos e kërkojë hisen e vet.