Zgjedhet drejtori i përgjithshëm në RTK

Bordi i Radio Televizionit të Kosovës ka zgjedhur Shkumbin Ahmetxhekajn, drejtor të përgjithshëm të RTK-së, me mandat trevjeçar.

Në një komunikatë dërguar mediave thuhet se për herë të parë në RTK, i gjithë procesi i vlerësimit dhe intervistimit ka qenë tërësisht transparent. Sipas njoftimit, në çdo fazë të procesit kanë qenë të ftuar monitoruesit nga shoqëria civile, organizatat ndërkombëtare, por ka pasur edhe qytetar të interesuar që kanë marrë pjesë në monitorim.

“Pyetjet për kandidatët janë bërë në prani dhe bashkë me monitoruesit rreth gjysmë ore para se të fillojnë intervistat. Edhe propozimet e monitoruesve janë marrë parasysh gjatë përpilimit të gjashtë pyetjeve. Në procesin e intervistimit, janë paraqitur nëntë kandidatë. Ndërkaq, një kandidate nuk e ka vazhduar garën”, thuhet në njoftim.

Sipas komunikatës, procesi i intervistimit ka qenë i ndarë në dy pjesë, ku në pjesën e parë kandidatët kanë prezantuar konceptin strategjik për zhvillimin e RTK-së, ndërsa në pjesën e dytë ata janë përgjigjur në gjashtë pyetjet e njëjta.

“Zgjedhja e Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së do t’i hapë rrugë një procesi të rëndësishëm reformash në transmetuesin publik të Kosovës për ta bërë atë konkurrent me mediumet në rajon dhe më gjerë. Bordi i RTK-së rikujton se Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit të përformancës (2019-2021) dhe të pasqyrave financiare të RTK-së për vitin 2021, ka gjetur një numër të konsiderueshëm shkeljesh për mënyrën se si është menaxhuar RTK-ja”, thuhet në njoftim.