Zgjedhjet e 30 qershorit, publikohet lista përfundimtare e zgjedhësve

Ministria e Punëve të Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve për zgjedhjet vendore të 30 qershorit, ku nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3.536.015 shtetas shqiptarë, nga të cilët 132.788 persona votojnë për herë të parë.

Sipas MB lista e votuesve është e ndarë në 51% votues meshkuj dhe 49 votuese femra, duke shtuar se lista përfundimtare e zgjedhësve ka përmirësime të dukshme në raport me zgjedhjet e kaluara.

“Lista Përfundimtare e Zgjedhësve ka përmirësime të dukshme në raport me zgjedhjet e kaluara, qoftë ato për pushtetin vendor të vitit 2015, ashtu edhe ato parlamentare të vitit 2017. Për herë të parë u arrit të zbardheshin adresat e sakta për rreth 285 mijë zgjedhës, të cilët në vend të adresës së vlefshme kishin kodet 999, 888 dhe 000 në listën zgjedhore, duke i eliminuar këto kode. Në listën e përditësuar janë hequr dublikimet dhe votuesit mbi 100-vjeçarë, si dhe emrat e personave që vuajnë dënimin në burgje, sipas përcaktimeve të ligjit, në kuadër të ‘Dekriminalizimit’”, thuhet në njoftim.

Ministria e Brendshme thekson gjithashtu se i gjithë procesi i hartimit të Listës Përfundimtare të Zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditeve tekniciene të KQZ-së, të cilët kanë pasur akses të plotë në çdo etapë të këtij procesi.

“Në vijim të komunikimeve për listën e zgjedhësve, nënvizojmë se ky proces ka nisur në zbatim të dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018, “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Më pas u hartua dhe miratua Udhëzimi nr. 295/1, i datës 06.11.2018 “Për procedurat e hartimit të listave të zgjedhësve për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore”.

Hapat e procesit ishin:
– ekstrakti i parë i përbërësve zgjedhorë u publikua më datën 4 dhjetor 2018;

– ekstrakti i dytë i përbërësve zgjedhorë u publikua më datën 3 janar 2019;

– ekstrakti i tretë i përbërësve zgjedhorë u publikua më datën 1 shkurt 2019;

– ekstrakti i katërt i përbërësve zgjedhorë u publikua më datë 1 mars 2019;

– ekstrakti i pestë i përbërësve zgjedhorë u publikua më datë 29 mars 2019;

– ekstrakti i gjashtë i përbërësve zgjedhorë u publikua në datë 28 prill 2019.

Lista përfundimtare përmbyll procesin e hartimit dhe shpalljes së Listës së Zgjedhësve.

DPGJC, ashtu sikurse deri tani, do të përmbushë në vijim çdo detyrim ligjor që rrjedh në bazë të Kodit Zgjedhor, për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore”, shprehet Ministria e Brendshme./atsh/