Zgjedhjet e tjera në 2021, të gatshëm të diskutojmë me opozitën për reformën zgjedhore

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të ndërveprojmë me të gjithë qoftë më opozitën në parlament, apo opozitën jashtë parlamentit jo vetëm për reformën zgjedhore, por për çdo aspekt të jetës së vendit që kërkon vëmendje”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Gjatë një interviste për TV Klan, Rama ka folur në lidhje me situatën politike në vend si dhe për procesin e çeljes së negociatave me BE.

Kreu i Ekzekutivit tha se vende anëtare të bllokut të BE kanë një debat të brendshëm që nuk lidhet më Shqipërinë apo me vlerësimin e bërë ndaj vendit tonë.

“Këto do e marrim vesh në 18 tetor dhe pse jemi në fund të rrugë. Por dhe pse është ende shumë e gjatë ka dhe shumë vendime për të marrë”, – tha Rama.

Për sa i përket debateve të brendshme politike, Rama tha se “do dëgjoni gjithmonë dhe më pak nga unë fjalë në lidhje me të tjerët. Nuk më interesojnë, sepse është kohë e humbur, është energji e shpenzuar kot”.

Kryeministri është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me opozitën, por thekson se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tij, zgjedhjet do të zhvillohen në 2021.

“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë dhe të ndërveprojmë me të gjithë qoftë me opozitën në parlament, apo opozitën jashtë parlamentit jo vetëm për reformën zgjedhore, por për çdo aspekt të jetës së vendit që kërkon vëmendje”, – deklaroi Kryeministri Rama.

Lidhur me shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Rama tha se nismës për shkarkimin e tij Kuvendi do t’i shkojë deri në fund.

“Kjo shumicë qeverisëse nuk është krijuar për të bërë presione ndaj askujt. Procesi në fjalë është një proces i cili është në duar të parlamentit dhe i takon parlamentit ta çojë deri në fund”, – tha Kreu i Ekzekutivit./atsh