“QUINTI nuk përzihet, Albin Kurti dorëzohet në ditën e fundit”

Lëvizja Vetëvendosje e Lidhja Demokratike e Kosovës pas dhjetë takimeve nuk kanë arritur ujdi për të lidhur marrëveshjen për të qeverisur me vendin.

Në orët e pasdites do të mbahet takimi i radhës ndërmjet Albin Kurtit e Isa Mustafës, por që në një format krejt ndryshe.

Aty do të jenë edhe ambasadorët e shteteve që janë të akredituara në Kosovë të njohur si QUINT.

Skeptik se edhe ky takim do të përfundoj pa asnjë marrëveshje është njëri nga analistët politik në vend Arben Ahmeti.

Ai për Gazeta Blic tha se gjatë këtij takimi nuk do të ketë marrëveshje, duke treguar edhe arsyen se përse ambasadorët e QUINTI do të jenë prezentë në këtë takim.

“Jo, assesi që s`do të ketë marrëveshje pas këtij takimi. Takimi është më shumë informues më kërkesë të QUINT. Ambasadorët po duan që ta dinë version e saktë të ngecjes së negociatave VV – LDK për koalicion pasi që deri më tash siç ka ndodh edhe me opinionin publik, deri tash kemi dy ose tri versione të ndryshme nga të dyja subjektet se pse nuk po ndodh marrëveshja”, ka thënë ai.

Sipas tij ky takim përveç, karakterit informues nuk do të ketë asnjë llojë ndikimi.

Ai ka prognozuar se cfarë do të ndodh ndërmjet LVv e LDK pas këtij takimi me ambasadorët e huaj.

“Mendoj se Isa Mustafa dhe Albin Kurti janë në një fazë kur nuk po e kuptojnë njëri tjetrin – Albini po mendon Isa po taktizon dhe se Albin Kurti ën ditën e fundit të afatit kushtetues do të dorëzohet dhe do ta pranoj ofertën e LDK, përderisa Isa Mustafa mendon se Albin Kurti nuk po dëshiron të bëhet kryeministër, sepse përndryshe do ta pranonte ofertën e LDK”, tha ai.

Ndërsa, zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova pak orë para takimit të radhës ndërmjet VV-së dhe LDK-së, ku prezent do të jenë edhe ambasadorët e QUINT-it, në një prononcim për Gazeta Blic e ka komentuar ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje që të marrë ministri shtesë në kompensim për postin e kryetarit të Kuvendit.

Ai ka thënë se posti i kryetarit të Kuvendit duhet t’i takoj Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Nëse më pyesni mua, unë mendoj që LDK-së i takon edhe posti i kryetarit të Kuvendit, por edhe posti i Ministrit të Punëve të Jashtme”, tha ai për Gazeta Blic, duke shtuar se duhet vazhduar bisedimet me partinë e Kurtit.

Ai tha se këto negociata nuk bën të ndërpriten deri në arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje.“Unë jam që të hyjmë në një koalicion me Vetëvendosjen”, tha ndër të tjera Rugova.