Zgjedhjet në veri | Kurti tregon për herë të parë se shpresonte në pjesëmarrjen të Listës Serbe

“Faktorët ndërkombëtarë na kanë premtuar”. Kështu ka thënë disa herë kryeministri Albin Kurti, duke kujtuar një garanci që thotë se ndërkombëtarët ia dhanë atij para disa muajsh. Ai e paraqet si rrjedhojë të atij premtimi (garancinë se Lista Srpska merr pjesë në zgjedhje) përshkallëzimin e situatës deri në dhunë në veri të vendit. Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka treguar tash se janë bërë pishman që i kanë mbështetur zgjedhjet në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha para një muaji se ndërkombëtarët s’e kishin mbajtur një premtim, që tha se ia dhanë atij para disa muajsh, një ditë para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kurti tha se një ditë para se të shkonte në Ohër për t’u takuar me Vuçiqin më 18 mars, ndërkombëtarët e kishin garantuar se nëse do të merreshin vesh për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, Lista Serbe do të merrte pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok.

“Një ditë para se të shkojmë në Ohër për atë aneksin e zbatimit, neve faktorët ndërkombëtarë na kanë premtuar: nëse bëhet aneksi i zbatimit në Ohër, ne ju garantojmë që Lista Serbe merr pjesë në zgjedhje”, shprehej Kurti në konferencën për media më 15 qershor.

Duke e paraqitur si rrjedhojë të atij premtimi përshkallëzimin e situatës deri në dhunë në veri të vendit, Kurti kishte zgjedhur që vetëm tre muaj pas të fliste për të.

“Dhe a e dini çka ka ndodh?”, pyeste Kurti para gazetarëve, si për të treguar më pas se premtimi që ndërkombëtarët s’e mbajtën e solli gjithë këtë situatë.

“Zgjatet për 5 ditë afati i regjistrimit, prej 17 mars në 22 mars. Nëse duan të marrin pjesë, pse jo. Ju ka kaluar afati, po e zgjasim. Ne e bëjmë aneksin e zbatimit në Ohër më 18 mars, më 19, 20, 21, 22 mars, Lista Serbe nuk aplikon për t’u regjistruar. Çfarë të bëjmë ne tash? S’mund t’i marrim Listën Serbe me dhunë të garojnë në zgjedhje. Faktorët ndërkombëtarë na kanë premtuar se ata e sigurojnë këtë gjë. Prandaj e kemi zgjatur afatin dhe është bërë aneksi i zbatimit”, pati thënë kryeministri.