‘Zhgënjimi amerikan’/ Kurti thotë se kërkesat e SHBA-së i dëgjojnë nëse i konsiderojnë të arsyeshme

Në tetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën dalë me një komunikatë për media ku shprehnin zhgënjimin me refuzimin e Qeverisë Kurti që ta zgjasë afatin e zbatimit të vendimit për targat. Qëndrimi i kryeministrit Kurti karshi kërkesave të SHBA-së ishte diskutuar shumë, teksa vet ai nuk kishte komentuar shumë.

Së fundmi, në një intervistë, Kurti ka thënë se shpesh herë iu shkon ndonjë kërkesë e cila paraqitet si ide për kompromis, por kjo bëhet nëse ne e konsiderojnë të arsyeshme si qeveri.

“Unë jam kryeministër i qeverisë së Republikës së Kosovës dhe presidenti (Joe) Biden ka thënë që qeveria e Kosovës është qeveri e një shteti sovran. Asnjëherë partneriteti, aleanca, bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është cenuar, nuk është rrezikuar, përkundrazi, por duhet ta kuptoni që Shtetet e Bashkuara të Amerikës përveç se na kanë njohur edhe ndërmjetësojnë midis Prishtinës e Beogradit dhe në këtë kuptim shpeshherë na vijnë edhe me ndonjë kërkesë e cila paraqitet si ide për kompromis. Nëse ne e konsiderojmë të arsyeshme si qeveri atëherë edhe e bëjmë, mirëpo asnjëherë nuk është kontestuar e drejta jonë që të vendosim për veten tonë, fundja ky është edhe kuptimi i 14 shkurtit të vitit 2021, ende nuk janë bërë dy vjet të fitores më të madhe demokratike në Kosovën e pasluftës.”, tha Kurti në Zërin e Amerikës.