Zjarrfikësit paralajmërojnë protesta, kërkojnë të paguhen edhe për rrezikshmëri

Zjarrfikësit në Kosovë vazhdojnë të jenë të pakënaqur me kushtet e punës.

Edhe viti 2024 për ta ka filluar njëjtë sikurse viti 2023.

Por për një çështje që ata po kërkojnë përgjigje sa më të shpejtë janë shtesat për rrezikshmëri.

Kjo, pasi që të njëjtit nuk po paguhen për këtë.

Kështu po thotë për Front Online, kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka.

Sipas tij, ani pse me ligjin e ri të Pagave shtesa për rrezikshmëri iu takon.

“Tash do të kërkojmë prej Qeverisë që urgjentisht ato obligimet ligjore që dalin tash me Ligjin e ri të Pagave, mirëpo në fokus dhe me theks të veçantë që zjarrfikësit janë shumë të revoltuar është largimi nga pagesa për rrezikshmëri në punë. Zjarrfikësit nuk e kanë rrezikshmërinë në punë edhe pse ligji i pagave e parasheh që shërbimet të cilat gjatë aktivitetit të punës rrezikojnë shëndetin dhe jetën ju takojnë shtesa”, ka thënë Beka për Front Online.

Ai thotë se zjarrfikësve iu është bërë e padrejtë dhe se kjo për ta është diskriminim.

E, në rast se nuk do të marrin përgjigje pozitive nga institucionet relevante, Beka shprehet se zjarrfikësit do të protestojnë.

“Ne ju kemi dërguar të gjitha specifikat dhe arsyeshmërinë pse zjarrfikësve iu takon rrezikshmëria, ata nuk na u kanë përgjigje, dhe më këtë qëndrim nuk do të pajtohemi assesi. Në momentin që nuk do të marrim përgjigje, sigurisht që do të aktivizohemi dhe zjarrfikësit do të protestojnë”, ka shtuar ai.

Thotë se zjarrfikësit nuk po kërkojnë asgjë më shumë, pos asaj që iu takon me ligj.

“Nëse nuk e gëzojmë rrezikshmërinë, një e drejtë që na ka takuar nuk mund ta eliminojnë sepse është diskriminim. Shpresojmë që më në fund do ta kuptojnë institucionet tona që neve na takon rrezikshmëria në punë. Ne jemi të interesuar që problemet të zgjidhen me dialog. Ne asgjë më tepër nuk po kërkojmë vetëm atë çka na garanton ligji”, është shprehur Beka.