ZPS kërkon që Gucati e Haradinaj të dënohen me nga 6 vite burgim dhe nga 100 euro gjobë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kërkon që Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të dënohen me nga 6 vite burgim dhe nga 100 euro gjobë.

Këtë propozim, ZPS e ka bërë në pjesën ku diskutohet për dënimin që konsideron se duhet t’iu shqiptohet të akuzuarve, në dosjen e tyre përfundimtare që përbëhet nga plot 156 faqe, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, thuhet se duke marrë parasysh diapazonin e dënimit të zbatueshëm dhe faktorët e përcaktuar më sipër, në veçanti peshën më të madhe të sjelljes së të akuzuarve, rrethanat e shumta rënduese, mungesën e ndonjë rrethane lehtësuese, rëndësinë vendimtare të parandalimit dhe nevojën për një dënim me burg dhe duke pasur parasysh se në pajtim me rregullin 163 (4), paneli duhet së pari të përcaktojë një dënim në lidhje me secilën akuzë në aktakuzë.

ZPS ka kërkuar që paneli të shqiptojë dënimet e mëposhtme për secilin të akuzuar: pesë vite burgim për akuzën e parë, pesë vite burgim për akuzën e dytë, gjashtë vite burgim dhe gjobë prej 100 euro për akuzën e tretë, tre vite burgim dhe 100 euro gjobë për akuzën e katërt, një vit për akuzën e pestë dhe pesë vite për akuzën e gjashtë.

“Rregulli 163(4) kërkon që Paneli të shqiptojë një dënim të vetëm që pasqyron tërësinë e sjelljes kriminale të të Akuzuarit, me një dënim të vetëm që nuk duhet të jetë më i vogël se dënimi më i lartë individual i përcaktuar në lidhje me secilën akuzë. Mbetet e hapur për Panelin që të dënojë të Akuzuarin me kushtet e burgimit të përcaktuara në lidhje me Pikat 1-6 në mënyrë kumulative, ose me një dënim më të lartë me burgim se ai i përcaktuar në lidhje me ndonjë pikë specifike”, thotë ZPS.

Tutje, thuhet se për të pasqyruar tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarve, ZPS kërkon një dënim të vetëm për secilin të akuzuar me gjashtë vjet burgim dhe gjobë prej 100 euro.

Dosjen e plotë mund ta lexoni: këtu