ZPS thotë se dëshmitarët janë frikësuar edhe pse u është thënë që emrat e tyre nuk kanë qenë në materialin e shpërndarë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), në konferencën për përgatitje për gjykim në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, kanë bërë të ditur se frika ka arritur te dëshmitarët edhe pse u është thënë se emri i tyre nuk ka qenë në materialin e shpërndarë.

“Tërësia e gjithë masave që na është dashur të marrim ka përbërë një pengesë shtesë për punën tonë të shkaktuar nga zbulimi i personave, që nuk do të kishte ndodhur mos të kishin vepruar kështu të akuzuarit”, u tha nga prokuroria.

Tutje, kanë bërë të ditur se përveç dy dëshmitarëve që punojnë në prokurori, synojnë të thërrasin edhe një dëshmitar tjetër, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë dëshmitar thanë se deklarata e tij do të nxirret këtë javë dhe mbrojtja është e informuar.

Tutje, prokuroria kanë thënë se dëshmitarët do të paraqesin fakte dhe prova, e jo analiza e përfundime.

Tutje, nga prokuroria u  tha se ka shumë mënyra që mund të arrihet synimi kriminal, e se e vemja pikë që ka synimin specifik është pika katër e aktakuzës, ku ngarkohet vepra penale e hakmarrjes.

“Pra nuk po thoni se një zyrtar është penguar specifikisht në ushtrimin e detyrave speciale”, u pyet prokurori nga trupi gjykues.

“Mendoj se është e saktë. Elementi i parë është pjesëmarrja në një grup personash, ndërsa i dyti tentativa për të penguar një person zyrtar. Fakti se synimi është i përfshirë brenda këtij elementi është thjesht një tregues i synimit, nuk është pjesë e kritereve që duhet të përmbush pika e dytë”, ka thënë ZPS.

“Pra prokuroria nuk po pretendon se të akuzuarit janë orvatur të nxisin dëshmitarë të caktuar që të thonë apo mos thënë informacione të caktuara ZPS-së”, u pyet prokuroria.

“Sjellja e të akuzuarve është frikësuese, kërkojnë të frikësojnë të tjerët. Jo medoemos të akuzuarit duhet të njohin individët që po frikësojnë. Nëse angazhohen në sjellje që është frikësuese sipas kuptimit të këtyre elementeve, ata do të duhej të shpalleshin fajtor”, u tha nga ZPS.

Tutje, nga ZPS u tha se fakti se personat janë ndier të frikësuar apo ndaj tyre është marrë hak, është tregues që bie brenda kuptimit të pikës tre dhe i dëmshëm sipas kuptimit të pikës katër.

“Në kryerjen e këtyre krimeve, ne marrim parasysh edhe jurisprudencën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe statusin e saj”, ka thënë ZPS.

Ndërkaq, janë pyetur se si synojnë të vërtetojnë se ndonjë person është ndier i frikësuar apo që ka qenë objekt i akteve të hakmarrjes.

“Kjo ka lidhje drejtpërdrejt me shënimet e kontaktit që i kemi parashtruar si prova jashtë dëshmive të dëshmitarëve. I kemi mbledhur këto prova siç e shpjegojmë në kërkesën tonë për të paraqitur prova jo përmes dëshmitarëve. Ato nuk janë prova të drejtpërdrejta për asnjë nga pikat e akuzës por kanë lidhje me to”, ka thënë prokuroria.

ZPS ka thënë se njëri dëshmitar do të flas se si një person i përmendur në paketat e dokumenteve ka masa mbrojtëse në këtë apo ndonjë çështje tjetër, e se i takon trupit gjykues për ta vlerësuar këtë dëshmi, nëse do të duhet paraqitja e provave shtesë për vërtetimin e identitetit të atij dëshmitari dhe se i janë caktuar masa mbrojtëse.

Tutje, prokuroria është pyetur lidhur me parashtresat ku përmendet një anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës dhe një jurist, e se çfarë rëndësie duhet tu jap paneli këtyre dokumenteve.

“Dëshmia e personave të tjerë ju përngjan sikurse flasin në emër të akuzuarve, ka shembuj kur juristi flet në një intervistë me njërin apo me të dytë të akuzuarit, keni edhe shembuj ku një person tjetër jep një intervistë ku ngrit çështjet e njëjta si të akuzuarit dhe e uron Haradinaj në “Facebook”. Ka disa deklarata të personave të tjerë që nxjerrin në pah synimin e të akuzuarve”, u tha nga prokuroria.

Tutje, sipas prokurorisë, thelbi i provave në këtë çështje dihet publikisht dhe pasqyrohet në videoincizimet që janë publikisht të disponueshme dhe në deklaratat që publikisht i kanë dhënë vet të akuzuarit.

“Konfrontimi apo ballafaqimi i shënimeve zyrtare të ZPS-së me dëshmitë e palës tjetër mund të interpretohen në dritën e kësaj që thash”, ka thënë prokuroria.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. /BetimipërDrejtësi