ZRrE demanton Bislimin, në Veri ende s’janë shpërndarë faturat e rrymës

Ndonëse zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, javë më parë njoftoi se mbi 20 mijë fatura janë shpërndarë në Veri të Kosovës për konsumin e energjisë elektrike gjatë muajit janar, shumë qytetarë serb kanë thënë se ende s’kanë pranuar faturat e para për rrymën e shpenzuar gjatë muajit janar.

S’e faturat për energji elektrike nuk janë shpërndarë ende në komunat të banuara me shumicë serbe e ka konfirmuar edhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Ymer Fejzullahu, kryetar i Bordit të ZRrE-së, i ka thënë Kosova Press-it se leximi i njehsorëve është në proces e sipër dhe pritet që “së shpejti të shpërndahen faturat në Veri të Kosovës”.

Sipas tij, në bazë të të dhënave preliminare, janë gjithsej rreth 22 mijë konsumatorë në pjesën Veriore, të cilët gjatë këtij muaji duhet t’i shlyejnë borxhet për muajin janar.

Fejzullahu nuk ka dhënë detaje rreth mënyrës së faturimit, sidomos të atyre që janë pa njehsorë, dhe as për çmimin për kilovatë orë nëse do të jetë i njëjtë sikurse në pjesët e tjera të Kosovës, duke thënë se “pret një raport nga Elektrosever-i, KEDS, dhe KOSTT rreth kësaj çështjeje”.

Ndërsa shumë qytetarë serb i kanë thënë Kosova Pressit se ende nuk kanë pranuar fatura për rrymën e shpenzuar ndërsa shumë prej tyre kanë konfirmuar se nuk kanë as orëmatës të vendosur në shtëpitë e tyre.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, gjatë raportimi në Komisionin për Integrime Evropiane, më 26 janar kishte njoftuar se mbi 20 mijë fatura janë shpërndarë në Veri për konsumin e energjisë elektrike gjatë muajit janar.

“Ky është një lajm i mirë”, kishte thënë ai.