ZRRE reagon pas aksionit të PSD-së në zyrat e tyre: Metodat janë të dhunshme

Zyra e Rregullatorit për Energji -ZRRE ka deklaruar se me metoda të dhunshme dhe në mënyrë të paprecedentë, anëtarë të partisë politike PSD kanë hyrë sot në hapësirat e punës së tyre, duke i pamundësuar punën stafit.

Ky institucion thotë se të gjitha vendimet e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji janë të publikuara në faqen elektronike të ZRRE-së.

“Vendimet e Bordit, pas marrjes së tyre, revidohen dhe draftohen ligjërisht nga departamentet e ZRRE-së dhe bëhen publike pas integrimit të të gjithë komenteve të anëtarëve të Bordit. Ky është proces i rregullt dhe ZRRE pret ta publikojë draftin gjatë kësaj jave. Komunikata për media dhe përgjigjet ndaj komenteve të palëve të interesit tashmë janë publikuar”, thuhet në reagimin e ZRRE-së.

ZRRE fton të gjitha partitë politike të përmbahen nga tendencat për të përfituar politikisht duke dhunuar e penguar punën e ZRRE-së.