Zvicra dhe Kosova ndahen në paqe

Pa fitues ka përfunduar ndeshja miqësore mes Zvicrës dhe Kosovës e zhvilluar në Cyrih në prezenc të një numri të madh të tifozëve.

Zvicra dhe Kosova barazuan 1:1 pas 90 minutave lojë në stadiumin “Letzigrund” në qytetin e Cyrihut.

Pas disa rasteve dhe një dominimi të lehtë të “helvetikëve”, pjesa e parë u mbyll pa gola 0-0.

Shtatë minuta pasi nisi pjesë e dytë, Milot Rashica e zhbllokoi rezultatin duke i dhënë avantazhin “Dardanëve” në minutën e 52-të nga afërsia. Festa në stadium ishte e madhe, ngase prezent ishin një numër shumë i madh i tifozëve shqiptarë.

Festa e të përzgjedhurve të Giresses zgjati vetëm nëntë minuta. Lotomba barazoi shifrat në minutën e 61-të, duke shfrytëzuar një gabim të portierit, Aro Muriq.

Në këtë përballje nga minuta e parë luajtën dyshja shqiptare, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri.

Disa minuta kishte edhe futbollisti tjetër me prejardhje nga Kosova, Andi Zeqiri që hyri në pjesën e dytë, ndërsa inkuadrimi i tij u përcjell me vërshëllima nga tifozët për shkak të vendimit të tij për të përfaqësuar Zvicrën dhe jo Kosovën.