Zvicra e dëbon kosovarin, punoi ilegalisht

Një kosovar është ndaluar nga policia zvicerane.

Gjatë një kontrolli të trafikur, policia ka kapur një person, i cili, megjithë ndalimin që kishte për të hyrë në Zvicër po qëndronte këtu dhe punonte në skele (ndërtimtari) pa leje pune. Ai është arrestuar, gjobitur dhe dëbuar.

Në mbrëmjen e së hënës (27.06.2022), një patrullë policie në komunën Cham të Kantonit të Zug-ut ka ndaluar një furgon transporti dhe me atë rast ka kontrolluar tre personat që ndodheshin aty. Policia ka zbuluar se njëri prej tyre kishte një ndalim hyrjeje në Zvicër që ishte i vlefshëm deri më 30 korrik 2024.

27-vjeçari kosovar megjithatë ka hyrë në Zvicër më 4 qershor 2022 me tren nga Italia. Ai ka deklaruar gjithashtu se kishte punuar si punëtor në skele, pa pasur lejen e detyrueshme të punës, shkruan policia e Kantonit të Zugut në një komunikatë të saj.

Ai u arrestua dhe u dënua me gjobë nga gjyqtari me procedurë të shkurtër i prokurorisë publike të kantonit Zug për shkelje të rregulloreve të hyrjes, qëndrim të paligjshëm të qëllimshëm në Zvicër dhe punësim të paautorizuar.

Më tutje atë e ka dëbuar nga Zvicra Zyra e Migracionit e Kantonit të Zugut. Më saktë ai është deportuar në vendin e tij, Kosovë, të premten e kaluar (1 korrik 2022), përcjell albinfo.ch. Ndalimi i hyrjes për Zvicrën dhe vendet e Shengenit është zgjatur edhe për dy vjet, deri në fund të korrikut të vitit 2026.

Punëdhënësi i tij jashtë kantonit është gjithashtu përgjegjës. Ai akuzohet për shkelje të ligjit për të huajt dhe integrimin.