Zyra e BE-së fton deputetët ta aprovojnë Kodin Civil

Zyra e Bashkimit Europian ka kërkuar nga deputetët e Parlamentit të Kosovës që ta aprovojë Kodin Civil.

Në këtë deklaratë thuhet se miratimi i këtij kodi do të sjell një avancim të raporteve në disa nga sektorët më të cënuar të shoqërisë.

Aty përmenden edhe të drejtat e grave, fëmijëve dhe personave LGBTI.

Komunikata e plotë:

“Kodi Civil do të rregullojë konceptet juridike moderne lidhur me detyrimet kontraktuale, të drejtat pronësore, marrëdhëniet familjare dhe të drejtat e trashëgimisë. Kodi Civil sjell një avancim shumë të nevojshëm në zhvillimin e marrëdhënieve të biznesit dhe në gjendjen e disa prej sektorëve më të cenueshëm të shoqërisë kosovare, veçanërisht të grave dhe fëmijëve si dhe të personave LGBTI. Të drejtat e fëmijëve janë avancuar në tekst duke përcaktuar se organi kompetent (gjykata) gjithmonë vendos në interesin e tyre. Gjithashtu, janë sqaruar dispozitat lidhur me trajtimin e fëmijëve të braktisur ose pa përkujdesje prindërore, si dhe e drejta për t’u dëgjuar në moshën 6 vjeçare. Kur bëhet fjalë për barazinë gjinore, pasuria e përbashkët e bashkëshortëve do të jetë e barabartë (50 me 50). Për të shmangur martesat e të miturve, është e ndaluar martesa nën moshën 18 vjeçare siç rekomandohet në vendet e BE-së. Gratë kanë të drejtë për procedura të barabarta dhe transparente në lidhje me divorcin dhe trashëgiminë para noterëve dhe gjykatave”.