Zyrtare: Icardi transferohet në PSG

Paris Saint-Germaini e ka konfirmuar transferimin e sulmuesit Mauro Icardi nga Interi në formë huazimi me të drejtë blerje.

Klubi parisien e ka konfirmuar transferimin e argjentinasit përmes një videoje në rrjetin social “Twitter”.

Ndërkohë, Interi në njoftimin për huazimin e sulmuesit ka konfirmuar që lojtari ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës deri në qershor të vitit 2022.

“Sky Sport Italia” raporton se huazimi i ka kushtuar klubit francez 5 milionë euro, kurse për blerjen definitive duhet të paguajë 65 milionë euro.

Icardi ka një rekord të shkëlqyeshëm të golave në Serie A, derisa ka realizuar 121 herë në 219 ndeshje, por raportet e tij me Interin u përkeqësuan në muajt e fundit dhe kjo bëri që ai të largohet nga klubi zikaltër.