Vritet në derë të shtëpisë shqiptari në Athinë

Një 60-vjeçar shqiptar është vrarë me armë zjarri në lagjen Paleo Faliro të Athinës mbrëmjen e sotme. Mediat greke raportojnë se ngjarja e rëndë ka ndodhur përballë pallatit ku viktima jetonte në rrugën 44 Atlantos, të kryeqytetit grek.

Persona të panjohur kanë hapur zjarr në drejtim të shqiptarit dhe janë larguar me shpejtësi.

Viktima është qëlluar në gjoks dhe me ndërhyrjen e menjëhershme të ambulancës është dërguar i gjallë në spitalin Evangjelismos, kur ka ndërruar jetë më pas si pasojë e plagëve të marra, shkruan “Euronews Albania”.

Zona është rrethuar nga forca të shumta policore dhe në vendngjarje janë gjetur të paktën dy gëzhoja 9 mm.

Deri më tani nuk dihen shkaqet e ngjarjes, por sipas “Protothema” ajo mund të lidhet me të shkuarën e 60-vjeçarit, i cili është i skeduar nga policia për përfshirje në grupe kriminale të trafikut të drogës, kontrabandë cigaresh dhe falsifikim dokumentesh.

Nga vlerësimet paraprake policia helene dyshon se kemi të bëjmë me vrasje për larje hesapesh.