Zyrtare: Joe Biden betohet si president i SHBA’së

Joe Biden edhe zyrtarisht është inauguruar si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Biden do të jetë presidenti i 46-të i shtetit më të fuqishëm në botë. Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën.

“Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Me ndihmo, Zot”, tha Biden, teksa u betua para gjykatësit të Gjykatës Supreme, John Roberts.

Biden i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.

Inaugurimi është një ceremoni zyrtare që shënon fillimin e një presidence të re në Shtetet e Bashkuara dhe, sipas ligjit, zhvillohet më 20 janar në Uashington.

Ceremonia e inaugurimit sivjet është ndër më të pazakonshmet në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ajo zhvillohet nën masa të pashembullta të sigurisë, të cilat pasojnë dhunën e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit.

Presidenti në largim, Donald Trump, nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e zgjedhjes së Biden president.

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama dhe ish-Zonja e Parë Michelle Obama kanë qenë të pranishëm në Capitol për inaugurimin e Joe Bidenit president. Pas tyre në ceremoninë e madhe ishin edhe ish-presidenti tjetër Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, Hillary Clinton.