Zyrtari amerikan: Sistemi i drejtësisë të mos ketë ndërhyrje të jashtme

Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA-së, Todd Robinson, ka folur pas takimeve që ka pasur me zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.

Robinson ka bërë të ditur se një ndër temat të cilat i biseduan ishte që në sistemin e drejtësisë të mos ketë ndërhyrje të jashtme dhe sulme.

“Njëra prej çështjeve për të cilën biseduam ishte kjo, ndërhyrjet nga jashtë dhe sulmet e vazhdueshme ndaj sistemit të drejtësisë. Mendojmë se për këtë kanë nevojë për përkrahjen tonë. Ata po bëjnë punë të madhe në shumë aspekte. Ta respektojmë ligjin, të reformojnë institucionet të lehtësojnë jetët e njerëzve dhe ne mendojmë që duhet të përkrahen, kështu mendon edhe bashkësia ndërkombëtare. Aq sa kam kuptuar Policia është në mesin e institucioneve më të besueshme në vend nga qytetarët dhe këtë e duam për gjithë sistemin e drejtësisë dhe për këtë jemi duke punuar”, tha Robinson në ATV.

Ndërkaq pikërisht ndërhyrje ka bërë sonte kryeministri Albin Kurti, duke skandalizuar me një deklaratë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e goditur sërish Gjykatën Kushtetuese, duke i bërë ‘ftesë’ që të futet në garë në zgjedhjet e ardhshme, me arsyetimin se “po merret me gjithçka”.

Kurti i cili u pyet për çështjen e Manastirit të Deçanit, se pse e pranoi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që ai e kishte kundërshtuar me vite.

Ai zgjodhi që në përgjigje të godas Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se të gjitha ligjet e mazhorancës po i rrëzon.

“Nuk besoj që Gjykata Kushtetuese do të duhej të pranonte, duke pasur komision parlamentar për legjislacion, të trajtojë secilin ligj që e kalon mazhoranca. Po mirret me nivel të pagave, me çmime tavan, po mirret me gjithçka. E ftoj Gjykatën Kushtetuese që në zgjedhjet e ardhshme të garojnë edhe ata. Nuk është apolitik nëse ti merr vendime për politika. Kur ata garojnë, mund të votoni për ta.” – tha Kurti.