Zyrtari e rrah administratorin e Gjykatës së Prishtinës, deklarohen nga Prokuroria

Sot rreth orës 15:00 ka ndodhur një rrahje në Pallatin e Drejtësisë mes dy zyrtarëve të Gjykatës Themelore në Prishtinë, mëson Paparaci nga burimet e veta.

Në këtë incident siç mëson mediumi, është përfshirë zyrtari Blerim Brahimi dhe administratori i kësaj Gjykate, Shaban Gërxhaliu.

Ky i fundit, dyshohet se është rrahur nga zyrtari Brahimi.

Brahimi, është ndaluar për 48 orë nga prokurorja kujdestare.

Ende nuk dihen shkaqet që kanë çuar deri në këtë rrahje mes zyrtarëve të Gjykatës.

Lajmin për Paparacin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, e cila bëri të ditur se zyrtari Brahimi dyshohet se ka kryer sulmin ndaj Gërxhaliut.

“Mund t’ju njoftoj se sot, me urdhër të prokurores kujdestare nga Departamenti i Përgjithshëm, është ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh për veprën penale ‘Sulmi ndaj personit zyrtar’. Personi i ndaluar dyshohet se ka kryer veprën penale ndaj punonjësit të Gjykatës Themelore ne Prishtinë”, tha ajo për Paparacin.

Paparaci ka provuar po ashtu të kontaktojë me Policinë e Kosovës lidhur me rastin, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm për mediumin.