Zyrtari i NATO-s që nxori dokumentin: Nuk pati marrëveshje, asgjë nuk ishte nënshkruar

Kryeministri Kurti deklaroi sot që ‘marrëveshja sekrete’ mes NATO-s dhe Kosovës i ishte dhënë nga një diplomat i NATO-s, edhe pse në fakt ky letërkëmbim ishte përmendur në shumë raste nëpër medie.

Burimet e NATO-s kishin folur për një gjë të tillë qysh në vitin e kaluar.

“Bazikisht, atëherë kryeministri Thaçi mori një obligim që FSK-ja nuk do të shkonte më tej Lumit Ibër në veri pa një marrëveshje me komandantin e KFOR-it,” – kishte thënë burimi.

Më tej, ai kishte konfirmuar që dokumenti në fjalë nuk ishte publikuar asnjëherë sepse nuk ishte nënshkruar asnjëherë, shkruan Periskopi.

“Kjo nuk ishte marrëveshje. Ishte një këmbim personal letrash mes atëherë Kryeministrit Thaçi dhe atëherë Sekretarit të Përgjithshëm Rasmussen,” shpjegoi ky zyrtar.

Sipas tij, këmbimi i letrave kishte ndodhur në periudhën pas marrëveshjes së Brukselit që ishte arritur para ri-nisjes së dialogut në vitin 2013.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në dy raste kishte deklaruar se autoritetet kosovare nuk mund të kalojnë në pjesën veriore të Kosovës “pa miratimin e komandantit të KFOR-it.”