Zyrtari i PDK-së kritikon partinë e tij

Anëtari i lartë i PDK-së, Bujar Cakolli e ka kritikuar partinë e tij. Ai ka thënë se premtimi për reforma nuk ka ndodhur, ashtu siç ishte premtuar.

Këtë konstatim Cakolli e ka dhënë pas zgjedhjeve të djeshme në kryesi ku nuk ka pasur risi.

“Grupimi i njerëzve me vizion, intelektualizëm dhe integritet të lartë në PDK, e ka bërë gjithmonë diferencën në klasën politike të Kosovës.

Megjithatë, zgjedhja e kryesisë së partisë nuk ka sjellë reformat e pritura! Njerëz të njëjtë me nga 15 vite në kryesi, poste ministrore dhe deputetë janë rizgjedhur në këtë formacion! Akomodimi i bartësve të pushtetit në Kryesi, nuk nënkupton reformë!

Do të duhej të reflektohej në këtë dimension, me reforma të cilat janë të nevojshme. Ne duhet të ofrojmë reformat për të cilat populli ka nevojë, në vazhdimin e një misioni të cilin PDK e ka marrë , e i cili është shtetndërtimi solid” shkruan Cakolli në reagim.