Zyrtari i PDK-së me kritika të mëdha: Zgjedhja e kryetarit të ri të partisë, nuk do të jetë demokratik

Anëtari i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës, Lirak Çelaj, nuk po beson në një proces demokratik për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.

Në një bisedë për Gazeta Blic, Çelaj thotë se ajo çfarë po ndodhë aktualisht brenda partisë më të madhe opozitare, është vetëm një “fasadë” për t’ua mbyllur gojën strukturave të këtij subjekti politik.

Sipas Çelajt, emrat që po përmenden se mund ta marrin drejtimin e PDK-së, nuk mund ta reformojnë këtë parti.

Ai thotë se brenda në PDK, ka njerëz të tjerë që përnjëmend mund të bënin reforma ta thella brenda partisë dhe që sipas tij, mund të vërehej qysh në zgjedhjet lokale të këtij viti, duke e rritur këtë parti.

“Çka po shoh e cka po dëgjoj, po mundohen të bëjnë përpjekje për ndryshim, por nuk po ndodhë asgjë. Kjo po bëhet vetëm formalisht, për t’ua mbyllur gojën strukturave, kinse po bëjmë reforma. PDK përndryshe, ka kandidatë që dijnë të bëjnë reforma, e jo që këta që po përmenden aktualisht.

PDK ka lider që dijnë të bëjnë reforma, pa u ndikuar nga grupe të ndryshme”, ka thënë Çelaj për Gazeta Blic.Lirak Çelaj, ishte kandidat për kryetar të Prishtinës nga PDK, në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Ai është një ndër zërat më kritikë brenda Partisë Demokratike, për reformimin e saj.

Në anën tjetër, deri më tani, për drejtimin e partisë më të madhe opozitare, është shpallur vetëm një kandidaturë.

Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se do i hyjë garës për të parin e PDK-së, në konventën zgjedhore të 3 korrikut.Përveç Krasniqit, pretendentë për t’u bërë kryetar të PDK-së, janë përmendur edhe disa emra tjerë, por që ende nuk ka zyrtarizim të tyre.