Apeli ua zbut dënimin për tre muaj Gucatit e Haradinajt

Paneli i Gjykatës së Apelit sot ka bërë shpalljen e aktgjykimit në çështjen Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, duke ua ulur dënimin vetëm për tre muaj.

Më 18 maj 2022, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, është shpallur aktgjykimi në shkallë të parë, ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin.

Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.