Zyrtarja e ministrisë e denoncon drejtoreshën e prokurimit: Po më bën presion për tenderin

Një tjetër skandal me tender ka shpërthyer në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit.

Drejtoresha e Prokurimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, Valmira Bllaca është akuzuar nga një zyrtare e ministrisë se po i bën presion për një lëndë të prokurimit.

Zyrtarja A.G e cila është caktuar anëtare e komisionit vlerësues për tenderin “Hartimi i projekteve dhe konsulencë teknike-Shërbimet Gjeodezike” i ka dërguar një letër të hënën Sekretarit të ri të MIA, Izedin Bytyqi.

Siç ka mësuar lajmi.net, në letrën e saj të cilën e ka drejtuar nëpërmjet e-mailit, ajo ka kërkuar nga Sekretari që të largojë emrin e saj nga komisioni vlerësues për këtë tender, i cili ndodhet në fazën e vlerësimit të ofertave.

Në letrën e saj, ajo ka shkruar se ka presion nga ana e drejtoreshës Bllaca që të nxjerrë fituese për këtë tender një kompani që nuk i plotëson kriteret.

Fillimisht, zyrtarja e ministrisë A.G një letër të tillë ia kishte dërguar ish Sekretarit, Betim Reçica, por ai nuk e kishte marrë parasysh që të sqarojë situatën në mes të zyrtares dhe drejtoreshës së prokurimit.

Redaksia e lajmi.net që disa ditë ka kërkuar përgjigje nga zyra e informim e MIA dhe Sekretari Bytyqi lidhur më këtë rast po nuk ka marr përgjigje.

Lajmi.net ka mësuar se kompanitë që kanë garuar për këtë tender janë: Grupi i operatorëve ekonomik 1. “Fidan Hysaj B.I”, “Lorenco -CO SHPK” , “Ges Plan SHPK”, 2. Grupi i kompanive “Geo –Grup SHPK”, “Infratek”, “Geo-Point-Al”. 3. Grupi i kompanive “Geo –Land”, “Consult Enfineering”, “3D Project”, 4. Grupi i kompanive “Mesciolugu Muhendislik Ve Musavirlink AS”, “Urban Metropol”, 5. Grupi i kompanive “Urb –Pro”, “Geo –Map”, “Nees”, 6. Grupi i operatorëve “Vizion Project”, “Vizurimi”, dhe 7. Grupi i kompanive “Infra Plus”, “Geoiing”.

Kontrata është kornizë për 3 vjet dhe vlera e parashikuar e saj është 600 mijë euro.

Njoftimi për kontratë për këtë tender është publikuar me datë 31.12.2019.

Me datë 13 janar 2020, kompania “Consultint Engineering” ka bërë ankesë në zyrën e prokurimit të ministrisë, duke pretenduar se ministria ka bërë dy shkelje në dosjen e tenderit tek njoftimi për kontratë. MIA e ka aprovuar këtë ankesë, dhe me datë 14.01.2020, ka bërë njoftim për korrigjimin e gabimeve në njoftimin e publikuar për këtë tender.

“Gjatë vendosjes së çmimeve në këtë tender për secilin pozicion të automjeteve, ju lutem të keni parasysh zbatimin e tarifave dhe rregullave të miratuara nga udhëzuesi administrativ nr. UDHËZIM ADMINISTRATIV MMPH – NR. 12/19 PËR NDARJEN DHE REGJISTRIMIN E PARCELËS për tarifat e shërbimeve dhe të produkteve kadastrale te ofruara nga zyrat kadastrale komunale dhe kompanitë për shërbime gjeodezike te licencuara”, thuhet në njoftimin për korrigjim.

Më pas edhe një ankesë në ministri e ka parashtruar kompania “Infraplus”, duke pretenduar se janë bërë shkelje të dispozitave të LPP, neni 3 –administrimi i procedurave të prokurimit, neni 7 barazia në trajtim dhe neni 69 – aftësitë teknike dhe profesionale. Ministria e ka aprovuar këtë ankesë, duke pranuar se e ka shkelur ligjin, dhe përsëri me datë 20.01.2020 prokurimi ministrisë ka publikuar njoftim për korrigjim e gabimeve në njoftimin e publikuar. Kryesisht është bërë një korrigjim tek ‘kapacitete teknike dhe profesionale’.

Tri iniciativa për shërbimet gjeodezike

Kjo është iniciativa e tretë që ministria po orvatet të realizojë këtë tender.

Fillimisht me datë 29 mars 2019, ministria ka bërë njoftim për kontratë për këtë tender. Me 6 qershor, MIA ka bërë njoftim për anulimin e aktivitetit të prokurimit, pasi ka konstatuar se të pesë ofertat kanë qenë të pa përgjegjshme. Gati të gjitha ofertat janë vlerësuar se kanë pasur çmime jo-normalisht të ulëta dhe se nuk kanë ofruar dëshmi të mjaftueshme ashtu siç është kërkuar në letrën standarde për sqarim të çmimit jo-normalisht të ulët. Me vendimin e ministrisë nuk janë pajtuar disa prej kompanive dhe kanë adresuar parashtresë ankimore, por ministria pasi i mori në shqyrtim ankesat i ka hedhur të gjitha poshtë dhe e ka lënë në fuqi vendimin e vetë për anulim të kontratës.

Ndërkaq, me 15 gusht 2019, ministria ka nisur iniciativen e dytë për këtë tender ku ka bërë njoftim për kontratë “Ri Tender – Hartimi i projekteve dhe konsulencë teknike –Shërbimet Gjeodezike”.Në garë për këtë tender kanë qenë 6 kompani, dhe gjatë vlerësimit të tenderit, të gjitha ofertat janë vlerësuar si të pa përgjegjshme dhe është vendosur që ta anulohet i tërë aktivitet i prokurimit. Me këtë vendim nuk janë pajtuar shumica e kompanive dhe kanë parashtruar ankesë tek ministria. Zyra e prokurimit të ministrisë i ka hedhur poshtë të gjitha këto pretendime dhe e ka lenë në fuqi vendimin për anulim. Më pas kompanitë janë ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Ky organ, pasi e ka bërë ekspertizën nëpërmjet ekspertit të saj, Hysni Muhadri, ka vendosur që të lërë në fuqi vendimin e ministrisë dhe ankesat i ka vlerësuar si të pa bazuara.

Pastaj, ministria me datë 31 dhjetor e kishte bërë publik iniciativën për “njoftim për kontratë” për këtë tender, i cili aktualisht është në rivlerësim.