​Deliu: Kurti dhe Vitia të sqarojnë pse dështojë marrëveshja për vaksinat me kompaninë Pfizer

Kuvendi është duke mbajtur debat parlamentar për gjendjen me pandeminë COVID-19 në vendin tonë.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu ka thënë se Qeveria Kurti është e para qeveri në Kosovë që ka filluar të përndjekë gazetarët. Ajo, duke theksuar se qeveria është përgjegjëse për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19, ka thënë se e njëjta ka dështuar marrëveshje me kompani të vaksinave. Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Deliu ka kritikuar edhe presidenten e vendit, Vjosa Osmani, për siç ka thënë ajo, heshtjen e saj përballë skandalit me mediat lidhur me raportimin për dështimin e sigurimit të vaksinave.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku pritet të ketë debat parlamentar lidhur me gjendjen me pandeminë Covid-19, deputetja e PDK-së ka thënë se për qeverinë Kurti ka qenë me e lehtë të suspendojë demokracinë sesa të debatojë për sigurimin e vaksinave.

“Qeveria Kurti është qeveria e parë e cila ka nisur përndjekjen e medias dhe përndjekjen e gazetarëve. Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Arben Vitia duhet të dalin para qytetarëve të Kosovës për të dhënë sqarime pse ka dështuar marrëveshja me kompaninë Pfizer sepse shteti është përgjegjës për sigurimin e vaksinës, e shtetit nuk do të duhej që t’i atakoj e drejtoi gishtin të mediat. Ndërhyrja flagrante e aparatit shtetëror në të drejtë ne shprehjes së lirë për arsyen e vetme se mediat kishin publikuar dokumente që flasin për brengën më të madhe të shoqërisë sonë, sigurimin e vaksinës është njollë e zezë mbi demokracinë e re të Kosovës”, ka thënë ajo.

Sipas Deliut, pushteti po synon t’i paraqesë mediat si armiq në mënyrë që të arsyetojë veprimet e qeverisë.

“Heshtja e presidentes së ashtuquajtur unifikuese, zonjës Osmani përballë një skandali të tillë tregon mungesën e hapur të guximit politik për të dënuar një ndërhyrje flagrante në lirinë e medias. Kosova nuk është shtet policor andaj përndjekja e mediave, shoqërisë civile, opozitës janë shenjat e para të kalimit nga një sistem demokratik në atë autoritar. Partia Demokratike e Kosovës ashtu siç u angazhua që të mbrojë burimet e gazetarëve më ligj, do të angazhohet në secilën mundësi dhe kapacitet të mbrojë rolin e mediave në shoqërinë tonë demokratike”, kashtuar ajo.

Kuvendi i Kosovës sot do të debatojë rreth gjendjes së krijuar nga pandemia me Covid-19, kërkesë kjo e Partisë Demokratike e Kosovës.