​Grenell – Kurtit: Ti je çdoherë kundër Amerikës

Emisari special i SHBA-së, Richard Grenell ka reaguar ndaj deklarimeve të kreut të Lëvizjes Vetëvendose se nuk do ta respektojë marrëveshjen e Uashingtonit, pas ardhjes së partisë së tij në qeveri.

Albin Kurti është shprehur i prerë sa i përket zbatimin të marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e SHBA-së, më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Por, shumë shpejt ka ardhur reagimi i njeriut që ishte pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes në Zyrën Ovale të presidentit Donald Trump.

“Një gjë është e sigurtë, gjithmonë mund të llogarisni se Albin Kurti është kundër Shteteve të Bashkuara. Ai ishte kundër ideve të Obamës dhe kundër ideve të Bushit. Simbolizmat nuk paguajnë qera, punët po”, shkruan Grenell në Twitter.

Lideri i VV’së, Albin Kurti, ka thënë se nëse subjekti i tij kthehet në qeverisje, atëherë nuk do të respektojë Marrëveshjen e Uashingtonit të arritur në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.

Kurti ka thënë se ajo marrëveshje është nënshkruar nga një kryeministër jolegjitim dhe ka thënë se ndërmjetësuesit nuk duhet që të shtyjnë përpara marrëveshje që ndërlikojnë marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe të Serbisë.