​Policia shënon 22 vjetorin e themelimit, kërkohet mos të shkelin mbi besimin e qytetarëve

Në shënimin e 22 vjetorit të Policisë së Kosovës, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla është zotuar për një polici më profesionale e me integritet të lartë.

Ministri i Brendshëm ka garantuar që do të angazhohet për policët e Kosovës që të jenë të vlerësuar nga shteti me veprime konkrete.

“Unë si ministër do të angazhohem me të gjitha kapacitetet e mija që Policia e Kosovës të jetë më profesionale, me integritet të lartë dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve, e krahasuar me vendet e botës demokratike. Po ashtu, dua të garantoj që do të angazhohem në maksimum që polici i Kosovës të ndjehet i vlerësuar edhe nga shoqëria dhe shteti, dhe atë edhe me veprime konkrete”, ka thënë ministri i Brendshëm.

Me një ceremoni të kufizuar për shkak të situatës së rëndë me pandeminë me të cilët po përballet vendi, në shënimin e 22 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, zyrtarë të lartë të institucioneve kryesore të sigurisë kanë vendosur lule pranë lapidarit të policëve të rënë në krye të detyrës.

“Kufizimet nga pandemia kanë bërë që këtë herë të jemi më të kufizuar në festim dhe grumbullim por kjo kurrsesi nuk e zbeh vlerën e kësaj date dhe respektin tonë, dhe të mbarë shoqërisë, për punën, angazhimin dhe sakrificën e Policisë së Kosovës për mbrojtjen e jetës së qytetarëve, mbrojtjen e kufijve të shtetit të Kosovës, për çka 21 pjesëtarë dhanë edhe jetë ne tyre. Sot ne nderuam ata por duhet kujtuar e nderuar çdo ditë me angazhim e vetëmohim të secilit prej nesh”, ka shtuar ai.

Ministri i Brendshëm ka theksuar angazhimin e Policisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe kur vendi po përballet me pandeminë, duke shtuar se të njëjtit nuk kanë kursyer as jetën e tyre me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve.

Deri tani 24 zyrtarë policor kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19, ndërsa 7 mijë e 912 tashmë janë vaksinuar, duke mbetur kështu në radhë për vaksinim edhe 1 mijë e 268 zyrtar policor.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti tha se Policia e Kosovës mbetët e përkushtuar në luftimin e të gjitha dukurive negative.

“Unë si drejtues i juaji u drejtohem sot në këtë ditë të veçantë me kërkesën time që mos të shkelni kurrë këtë besim që qytetari na ka dhënë, por punoni fort me profesionalizëm dhe kurajo e guxim, sepse vetëm puna e drejtë dhe me nder e integritet na bënë të nderuar dhe të respektuar. Në këtë ditë unë u drejtohem të gjithë të rinjve të vendit tonë pa dallim gjinie e etnie, të jesh pjesëtar i Policisë së Kosovës nuk është vetëm krenari apo privilegj, bartja e uniformës së shtetit nënkupton përgjegjësi dhe ndonjëherë edhe rrezik për të dhënë jetën e zyrtarit policor për shërbimin ndaj vendit është ndjenja më sublime që mund të përjetoi”, ka thënë ai.

Në këtë ceremoni janë ndarë edhe mirënjohje për zyrtarët policor të cilët janë dalluar për punë e përkushtim gjatë këtij viti.

Më 6 shtator të vitit 1999 janë hapur të parën herë dyert e shkollës së policisë në Vushtrri ku kadetët e parë kanë zhvilluar trajnime për t’u certifikuar pastaj si gjenerata e parë e Policisë së Kosovës, atëherë Shërbimi Policor i Kosovës.

Gjenerata e parë filloi më 176 pjesëtarë derisa sot numërohen 9 mijë e 180 pjesëtarë të Policisë së Kosovës.