​Skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove, Bajrami: Kam menduar dorëheqjen

Një skandal ka ndodhur javën e kaluar në Thesarin e Shtetit ku mbi 2 milionë euro ‘avulluan’ duke përfunduar në xhirollogarinë e një firme, pronari i së cilës u dorëzua sot në polici, ndërkohë ndaj një zyrtari tjetër i dyshuar është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami në Pressing në T7 ka thënë se është hera e parë që ka ndodhur një vjedhje e tillë.

“Stafi i Thesarit më ka garantuar se një gjë e tillë nuk ka mund të ndodhë më herët, pasi çdo cent barazohet në fund të muajit. Vjedhja është bërë nga zyrtari i Thesarit që 11 vjet punon aty. Mua më ka shkuar mendjen të jap dorëheqje, por kjo do t’iu shkonte përshtati kriminelëve që kanë kryer vjedhjen. Ndihemi të rrënuar dhe të tradhtuar”, tha Bajrami.

Ajo ka bërë të ditur se zyrtari i arrestuar i Thesarit Labinot Gruda ka qenë i autorizuar për krijimin e qasjeve në sistem dhe të gjitha ato autorizime i ka përdorur duke krijuar llogari të rreme, dhe ka vepruar sikur të ishte zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës.

“Ky (Gruda) ka mund të gjitha t’i krijojë, por nuk ka mund të bëjë certifikimin e pagesës. Të gjithë këta hapa janë të gjurmueshëm sipas raportit të IT, pasi është punuar nga kompjuteri i Labinot Grudës. Kur ka ardhur deri te certifikimi, ai ka resetuar lejekalimin e certifikuesit të Ministrisë së Infrastrukturës, zyrtarit i cili është larguar që 9 muaj nga puna dhe ende ka pasur qasje në Thesar. Kur është resetuar lejekalimi, askush nuk ka marrë alarmin se ka ndodhur ndryshimi i tij”, ka thënë Bajrami.

Bajrami ka bërë të ditur se ka kuptuar për ‘avullimin’ e mbi 2 milionë eurove më 20 tetor, ndërkaq vjedhja më së largu do të kuptohej në fund të muajit kur zakonisht kryhet barazimi në Thesar.

Duke folur rreth asaj nëse vjedhja do të kishte mundur të kryhet nga vetëm një person, ministrja Bajrami tha se beson në organet e drejtësisë, e cila posedon të gjitha informatat mbi transaksionet e kryera.