10 mijë qytetarë të Kosovës u vaksinuan nga Serbia: Ky është reagimi i MSh-së

Përmes një komunikate të përbashkët të MSH-së, IKSHPK-së dhe zyrave të OBSH-së e UNICEF-it në Kosovë lidhur me vaksinat kundër COVID-19, flitet edhe për vaksinimin e qytetarëve të Kosovës nga Serbia.

Aty thuhet se janë të vetëdijshëm për presionin lidhur me këtë proces, në veçanti nga Serbia, mirëpo qytetarët kosovarë duhet të vaksinohen me vaksina të cilat kanë marrë miratim nga FDA, EMA dhe OBSh dhe jo me vaksina nga Serbia e Rusia.

“Në anën tjetër, MSh është e vetdijshme për presionin që bëhet edhe nga vende të tjera lidhur me procesin e vaksinimit në Kosovë, në veçanti për ndërhyrjet që bën Serbia tek qytetarët (kryesisht të komunitetit serb), duke i ftuar ata që të vaksinohen në Serbi. Për më shumë, Serbia ka bërë shpërndarjen e një numri të vaksinave (kryesisht të vaksinës Sputnik të Rusisë dhe tjera) në Republikën Serbe të Bosnjës e Hercegovinës, në Malin e Zi dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por qytetarët e Kosovës, janë informuar edhe më parë se përcaktimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë i qartë prej fillimit që qytetarët kosovarë duhet të vaksinohen me vaksina të cilat kanë marrë miratim nga FDA, EMA dhe OBSh dhe jo me vaksina nga Serbia e Rusia.

Duke i siguruar qytetarët se Kosova i ka plotësuara të gjitha kriteret e kërkuara nga partnerët dhe mekanizamt e ndryshëm për të siguruar vaksinën, dëshiron të ritheksojë edhe faktin se prioritet për këtë mekanizma kanë qenë shtetet me situatë më të rënduar epidemiologjikem ndërsa prodhuesit prioritet u kanë dhënë shteteve shteteve që paraqesin treg më të madh se Kosova”.

Kujtojmë që dje, kryetari i Komunës së Graçanicës, Srgjan Popoviq ka njoftuar se këtë vaksinë e kanë marrë 10 mijë qytetarë nga Kosova.