14 vite nga protesta e VV-së, Molliqaj: S’gjejmë as edhe një germë nga qëllimi për të cilën u protestua

Sot bëhen 14 vjet që nga protesta për të kundërshtuar negociatat e Kosovës me Serbinë, kundër Pakos së Ahtisarit, ndërsa lidhur me këtë ka reaguar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.

Në atë protestë u vranë dy aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, teksa Molliqaj tha se 14 vite pas protestës ende nuk gjendet as edhe një germë nga qëllimi për të cilën u protestua.

Po ashtu ai tha se drejtësia e munguar për Mon Balajn e Arben Xheladinin nga Misioni i UNMIK-ut, prek dy dimensione: atë të të drejtës për protestë dhe aspektin politik të kërkesës.

Postimi i plotë:

Homazh për kauzën e braktisur

14 vite pas protestës së 10 Shkurtit (2007), nuk gjejmë as edhe një germë nga qëllimi për të cilën u protestua. Qytetarët atë ditë kundërshtonin ndarjen mundshme të vendit mbi baza etnike dhe rrezikun e përjetësimit të problemit politik me Serbinë, përmes mekanizmave të asociacionit.

Por ky plan nuk takon ende në të kaluarën. Sot, kur puna e parë që e pret Qeverinë e re janë negociatat, askush nuk di saktësisht cili është pozisionit i saj në këto negociata. Për çka sot qëndron kjo parti e cila as në komunikatën e homazheve për Monin e Arbenin nuk i përmend arsyet politike të rezistencës?

Drejtësia e munguar për Mon Balajn e Arben Xheladinin nga Misioni i UNMIK-ut, prek dy dimensione: atë të të drejtës për protestë dhe aspektin politik të kërkesës. Por sot as në nivel deklarativ, e as në atë të veprimit politik nuk shohim që kërkesat e protestës janë në ligjërimin e Kurtit për këtë çështje. Pastrimi i gjuhës është paralajmërim.

Homazhet si vajtim, pa revoltë e mision politik në ndaljen e ndarjes etnike, e kthejnë çështjen politike vetëm në dhimbje për trupat, e Monin e Arbenin në viktima. Simbolizmat e zbrazur nga aksioni politik janë rituale për kompenzim. Përkulja para 10 Shkurtit sot ështē më tepër homazh për kauzën e braktisur.