17 të vdekur në Brazil pas përleshjes së policisë me trafikantët e drogës

17 persona kanë mbetur të vdekur pas një përleshje që ka ndodhur në qytetin verior të Brazilit Manaus mes policisë dhe trafikantëve të dyshuar të drogës.

“Pas shkëmbimit të zjarrit me policinë, 17 persona kanë marrë plagë dhe janë transportuar për në spital ku edhe është konfirmuar se kanë vdekur”, kanë thënë zyrtarët shtetërorë.

Qëllimi i këtij operacioni të policisë ishte që të ndërpriste një grup të trafikantëve të drogës që po përgatiteshin që të vrisnin rivalët e tyre për të marrë nën kontroll pikat e shitjes së drogës në qytet.

Komandanti i policisë ushtarake, Ayrton Norte, tha para mediave se autoritetet kishin marrë informata se 50 njerëz të armatosur që ishin brenda një kamioni ishin nisur që ta sulmonin një bandë rivale.

Grupe të ndryshme janë duke luftuar për kontrollin e biznesit të trafikut të drogës në veri të Brazilit, një zonë strategjike për transportin e kokainës nga vendet fqinje si Kolumbia, Peruja dhe Bolivia.