20-vjeçarja dërgohet me urgjencë në spital, personi me të cilin doli në takim i dha drogë disa herë pa dijeninë e saj

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.

Ka raste kur të rinjtë intoksikohen me narkotikë, substanca psikotrope apo substanca analoge pa dijeninë e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në qytetin e Pejës, ku një vajzë 20-vjeçare dyshohet se ka konsumuar marihuanë, pa e ditur se bëhet fjalë për drogë. ‘Jointin’ e reja dyshohet se e mori nga një person me të cilin doli në takim.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për një 23-vjeçar, i cili po dyshohet se me zor i ka dhënë viktimës të konsumojë drogë (ndonëse vajza nuk e ka ditur për çka bëhet fjalë) për disa herë me radhë dhe për pasojë i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se vajza është pranuar në këtë qendër pak para mesnatës, të martën dhe ka marrë trajtim mjekësor.

Posa gjendja e saj është stabilizuar, viktima ka dëshmuar për rastin në Polici, ku ka rrëfyer në detaje krejt çka kishte ndodhur.

Si rezultat i denoncimit, gjatë ditës së sotme i dyshuari është dorëzuar në Polici, ku është intervistuar për veprat me të cilat dyshohet.

Pas përfundimit të procedurave policore, i njëjti është dërguar në mbajtje, nën dyshimet për dy vepra penale “Posedimi i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Intoksikimi i personit tjetër me narkotikë ose substanca psikotrope”.