21 vjet nga rënia e dëshmorit Adnan Shyti (Adi)

Sot bëhen 21 vjet nga rënia e dëshmorit Adnan (Sadik) Shyti (Adi) nga fshati Oshlan i Komunës së Vushtrrisë.

Dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor të vitit 1997, luftimet dhe masakrat që ndërmori policia serbe në Qirez e Likoshan, heroizmit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes “Jashari” në Prekaz, bënë që edhe rinia e fshatrave të Vushtrrisë të vetorganizohen për të filluar rezistencën.

Abaz Shyti, komandant i Togut të Dytë të Kompanisë së Parë të Batalionit të Dytë të Brigadës 142 të Zonës Operative të Shalës (ZOSH) në një bisedë për Fokusi.info tha se Adnani është kyçur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës më 21.03.1998, ku fillimisht është aktivizuar në togun që e kam udhëhequr.

Me qëllim të armatimit dhe përforcimit të radhëve të UÇK-së, në maj të vitit 1998 niset grupi i parë për në Shqipëri me qëllim për të marrë armë dhe municion, thotë Shaip Hyseni në një bisedë për Fokusi.info. Në atë grup bënin pjesë: Bekim Shyti, Adnan Shyti, Naim Shyti, Bedri Mehmeti, Musli Shyti, Afrim Shyti, Muhamet Shala, Adem Shyti, Hamdi Sheremeti, Vedat Shyti dhe unë Shaip Hyseni.

“Filluam rrugën për në Likoc, ku u takuam edhe me grupe tjera nga fshatrat e Çyçavicës, Llapit, Shalës, ku prej aty vazhduam rrugën për në Jabllanicë, ku qëndruam një kohë në fshatin e Lah Ibrahimajt ku na u ba një pritje bujare që nuk do ta harrohet kurrë. Shumica e djemve ishin të rinj dhe pa përvojë lufte, por ishte një përvojë e re për të gjithë ne. Vullneti dhe gatishmëria jonë që ta ndalim njëherë e përgjithmonë barbaritë serbe në Kosovë ishte më e madhe se rruga dhe rreziku që kishim përpara gjatë rrugës për Shqipëri, thotë Hyseni. Sipas tij, Adnani , tani Dëshmor i Kombit ishte një djalë i ri, i qetë, trim, i përgatitur fizikisht dhe i afërt me shokët. Ai ecte kodrave të larta të Junikut në rresht të parë, duke na jep kurajo.

“Pas kthimit nga Shqipëria, Adnani merr pjesë në luftime në fshatin Pantinë, kurse në korrik në fshatin Polac të Skënderajt. Ndërkaq, në ofenzivën e 22 shtatorit 1998, Adnani merr pjesë në luftime në vendin e quajtur “Rogë e Zhigës” dhe te “Përroi i Rahmetit” në fshatin Hercegovë”, thotë Abaz Shyti.

Ndërkaq, Sefer Shyti në një bisedë për Fokusi.info deklaroi se përgatitjet për themelimin e Njësisë Speciale të ZOSH-it i kemi filluar me Bekimin dhe një grup shokësh qysh në muajin prill- maj 1998. Por, Bekimi shkoi pastaj në Shqipëri.

Në fund të muajit tetor të vitit 1998 u themelua Njësia Speciale e ZOSH-it, komandant i së cilës ishte Bekim Shyti, kurse zëvendëskomandant u caktova unë Sefer Shyti.

Adnani u aktivizua në Njësinë Speciale ku mori pjesë në luftime në:  Liqej, Galicë, Mitrovicë, Shipol, Vaganicë dhe në vende tjera ku veproi Njësia Speciale.

“Ditën kur u vra Adnani, unë isha i plagosur. Ai ishte i caktuar që të shkonte në luftime në Galicë , por tha që nuk do të shkonte atje, por vendosi që të shkonte në luftime në fshatin Pirç të Mitrovicës”, tha Sefer Shyti.

Bahtir Maxhuni (Tuli) rrëfen për Fokusi.info momente gjatë luftimeve në fshatin Pirç të Mitrovicës, ditën kur ishte vra Adnan Shyti.

“Më 29 maj 1999, Adnani së bashku me disa bashkëluftëtarë shkojnë në Pirç. Gjatë luftimeve të ashpra me forcat serbe, Adi plagoset nga një predhë e minahedhësit, ku afër tij ishte Ismail Osmani dhe disa ushtarë nga fshati Pirç. Atë ditë plagosen edhe Xhavit Shyti (Xhango), Fadil Spanca (Tlyni) dhe Rifat Segaça. Më vonë edhe bie heroikisht Adnani. Jemi njoftuar përmes radiolidhjes se disa ushtarë janë plagos në Pirç. Unë bashkë me Bekim Shytin dhe Jeton Azemi kemi shkuar atje, ku së bashku edhe me ushtarë tjerë e kemi tërhequr kufomën e Adnanit me një kombi të tipit Mercedes. Pastaj, kemi vazhduar luftimet deri në mbrëmje, ku armiku atë ditë ka pësuar humbje të mëdha në njerëz dhe makineri. Gjatë natës me nderime ushtarake e kemi varrosur në varrezat e fshatit në Oshlan.”, shprehet Maxhuni./Fokusi.info/